
Historia
Kumrie Berushi është artizane me përvojë të gjatë pune për më shumë se katër dekada. Kumrie është mjeshtre e rrobaqepsisë dhe qëndisjes dhe krijon produkte të jashtëzakoshme të jetës së përditshme. Kumrie ka nisur punën me dorë herët në moshën 14 vjeçare me riciklime, ose sikurse përdorej atë kohë ‘arnime’ për shkak të mungesave të mëdha në veshje.
Më vonë Kumrie mësoi qëndisjen me dorë dhe në makinë me gjergjef, punën me shtiza, age dhe grep. Gjatë periudhës që punoi në Ndërmarrjen Artistike të Qilimave Krujë, punën e dorës të trashëguar nga familja e bënte pasditeve ku qëndiste pajat e vajzave për martesë. Ajo realizonte qëndisjen e çentrove, setet e çarçafëve, perdeve, mbulesave të tavolinës etj. Ndërsa me hyrjen e teknologjisë Kumrie filloi prodhimin e produkteve të personalizuara për hoteleri, bluza etj.
Estetika e saj e natyrshme e lejon Kumrien të kaloj përtej artizanatit tradicional duke sjellë produkte novatore. Gjithashtu, Kumrie ka demonstruar të përdorë mjeshtërinë e saj për nevojat e jetës së përditshme. Gjatë periudhës së pandemisë Covid-19, Kumria ishte ndër të vetmet artizane që përgatiti maska artizanale për konsumatorët. Kohëve të fundit, ajo punon trastat për pazar, të cilat realizohen me riciklime të copave të mbetura apo me rroba që nuk përdoren më.
Të gjitha produktet janë të punuara me dorë duke ruajtur një strandart të lartë punimi. Ata janë kryesisht prej cope, të realizuara me materiale të ndryshme si stof, kambrik, pëlhurë etj.
Kumria është aktive dhe merr pjesë vazhdimisht në panaire të ndryshme që organizohen brenda dhe jashtë Shqipërisë.