Mjeshtëritë kryesore
Produktet e artizanatit tradicional të prodhura mjeshtërisht nga ne janë të rëndësishme për jetën dhe profesionet e shumë njerëzve. Në ditët e sotme, përpiqemi të ruajmë aftësitë e tona dhe të prodhojmë produkte artizanale në një ekonomi moderne. Aftësitë e përfshira në krijimin e objekteve artizanale janë po aq të ndryshme sa edhe vetë artikujt dhe variojnë nga puna delikate dhe e detajuar deri te punimet e vështira e të ndërlikuara si kompozimi i një qilimi në tezgjah apo punimi i filigranit. Në prodhimin e objekteve dhe punimeve artizanale si: një qilim, një triko e punuar me shtiza, një shportë kashte apo një qëndisje në veshjet popullore, investohet kohë dhe përpjekje. Po ashtu, janë vendosur standarde të larta për mjeshtërinë e ushtruara dhe produktet e realizuara. Në qytetin tonë njohuritë e prodhimit artizanal vazhdojnë të transmetohen brez pas brezi duke përfshirë të gjithë, nga fëmijët tek të rriturit e të dy gjinive. Disa artizanë dhe artizane janë specializuar në një mjeshtri të veçantë si punimi i qelesheve, e disa të tjerë ushtrojnë disa mjeshtëri brenda një familjeje si: qëndisja, qeramika dhe endja. Zejet tona të dallueshme janë:
Punime prej leshi, pambuku e mëndafshi
Në këto punime përfshihen qilima leshi të punuar me dorë dhe unikë. Duke ruajtur teknikën e punimit në tezgjah, teknika e ngjyrosjes së leshit, nga ajo me lesh të pangjyrosur apo me ngjyrosës natyral, ka pësuar shndërrime të pakta gjatë kohës. Nëse dëshironi të keni një qilim tradicional të punuar nga ne, ai mund të porositet sipas madhësisë, ngjyrave dhe dizajnit të dëshiruar.
Përveç qilimave prej leshi, realizojmë edhe tekstile ekskluzive të bëra nga pambuku dhe, më rrallë, edhe nga mëndafshi. Punime tekstili me grep dhe qëndisje. Në punimet tona të tekstilit janë përdorur teknika si tjerrja, thurja, endja, mbushja me tegela, gërshetimi, thurja me grep dhe rrahja e dantellave.
Veshje popullore
Veshjet popullore janë po aq të larmishme dhe interesante, duke reflektuar traditën por dhe tendencat moderne përgjatë dekorimit. Ndërkohë që disa dekada më parë, nga veshja mund të lexohej origjina, pasuria, klasa dhe statusi familjar, sot, këto veshje po prodhohen përsëri sipas kërkesave më shumë për dhurata simbolike. Në proçesin e punimit të saj kombinohen së bashku disa mjeshtëri si rrobaqepësia, endja, qëndisja, dantella etj.
Punime me filigran
Filigrani është mjeshtri tradicionale dhe ende në funksion, ndoshta falë efikasitetit të kostos, dizajnit dhe mjeshtërisë së detajuar. Bizhuteritë dhe stolitë luajnë një rol të rëndësishëm në mjeshtrinë e argjendarisë. Punimet në filigran kanë zënë gjithmonë një vend të veçantë për nga teknika e mrekullueshme si dhe finesa në produktet e realizuara nga artizanët. Filigrani është një nga llojet më delikate të punimeve metalike të stolive, i cili në përgjithësi përdor metale të çmuara, si ari dhe argjendi. Brishtësia e tij shpesh
na bën të mendojmë se kemi të bëjmë me një qëndisje dantellë.

Punime Bakri
Ndonëse një zanat i lashtë, bakërpunuesit janë zejtarë jashtëzakonisht të aftë, të cilët kanë një rol të rëndësishëm në ushtrimin e kësaj mjeshtërie. Bakërpunuesit krijojnë punime bakri të cilësisë së lartë, cilësore dhe të detajuara dhe shpesh punojnë edhe me metale të tjera të ngjashme të buta. Sot bakërpunuesit punojnë në përgjithësi në produkte dekorative, të nivelit të lartë dhe jo në ato praktike ose teknike siç përdoreshin më parë për armë dhe vegla pune.
Punime dekorative dhe funksionale me rruaza
Punimi i rruazave është arti ose zanati i ngjitjes së rruazave me njëra-tjetrën duke i futur ato në një fije ose tela të hollë me një gjilpërë qepjeje, ose duke i qepur në pëlhurë. Rruazat prodhohen në një gamë të larmishme materialesh, formash dhe madhësish, ngjyrash dhe ndryshojnë sipas përdorimit.