Artizanet e Krujës

Trashëgimia jonë krutane

Trashëgimia jonë krutane

Artizanati tradicional është pjesë e trashëgimisë kulturore, një kombinim i krijimtarisë, kulturës, trashëgimisë dhe mjedisit të zejtarëve. Një mjedis i tillë është edhe Kruja e cila me të drejtë mund të mburret me pazarin dhe larminë e mjeshtrive të ushtruara edhe sot. Bukuria dhe larmia e produkteve të prodhuara nga artizanet dhe artizanët lokalë të impresionon; lehtësisht vërehet larmia në dizajne, në stile dhe funksione. Prodhimi dhe përdorimi i produkteve artizanale është pjesë e rëndësishme e jetës së përditshme të njerëzve të qytetit. Ato janë të njohura për estetikën, vlerat tradicionale, veçantinë, cilësinë dhe mjeshtërinë e tyre.

Artizanati në Krujë ka përfituar nga historia dhe vazhdimësia e pazarit të Krujës, i cili ka ekzistuar që në shekullin XV. Vendndodhja gjeografike e qytetit që nis nga 50 metra mbi nivelin e detit e deri në 1723 metra me Majën e Liqenit është një tjetër faktor i rëndësishëm që ka ndikuar në zhvillimin e artizanatit tradicional të Krujës. E jo rastësisht, poeti dhe piktori anglez, Edward Lear e ka quajtur Krujën “Qyteza plot sharm mbi qiell”. Vendi është i famshëm për përfshirjen e të gjitha periudhave historike e reflektuar në trashëgiminë e vet të pasur arkeologjike dhe etnografike të ekspozuara në muzeun e këtj qyteti. Elementë të tjerë si gojëdhëna e legjenda, ura e kalldrëme, liqene, shpella dhe kanione e kthejnë Krujën në një destinacion turistik të lakmuar. Artizanati si pjesë gjithë këtij atraksioni formon një traditë të gjallë të rëndësishme për identitetin dhe vazhdimësinë e Krujës.

Falë përfshirjes së punimeve të artizanatit tradicional nëpër libra, broshura, katalogje, muzeume dhe vitrina të dyqaneve, ato janë lehtësisht të aksesueshme për turistët dhe të interesuarit e punës së dorës. Ky fakt ka ndihmuar në ruajtjen e origjinalitetit të punimeve artizanale si dhe modeleve tradicionalisht të kultivuara në Krujë. Veç tjerash, origjinaliteti i produkteve artizanale ia ka dalë të tejkalojë përpjekjet tregtare që mbushin vitrinat dhe tezgat e pazareve me kopje e riprodhime të huaja duke i tregëtuar si “punime të vendit”! Përkushtimi për punimet tradicionale të dorës, me motive dhe elementë nga tradita e vendit, ka mundësuar që sot të kemi edhe një rrëfim mbi zhvillimin e industrisë krijuese si dhe të ekonomisë kulturore në Krujë.